Jahja bej Dukagjini

Jahja bej Dukagjini ose Tashligjaliu (tr. Dukaginzâde Yahyâ bey, Taşlicali Yahyâ bey; Tashligjë, 1498 - 1582) ka qenë poet dhe figurë ushtarake e Perandorisë Osmane që mbahej se ishte nga familja Dukagjini. Është ndër poetët më të dalluar të divanit të shek. XVI.[1] Vetë shkroi në gjuhën osmane, duke e cekur herëpashere prejardhjen e mëtuar prej tij.[2]

Biografia

Lindi në Tashligjë (sot qyteza e PlevlësMal të Zi), prandaj dhe përdorte llagëpin Tashligjaliu, megjithëse ka studjues që referojnë se nuk e ka përdorur ndonjëherë.[3] Viti i saktë i lindjes nuk dihet, por mendohet se është më 1498. Arbër nga prejardhja, sipas Elsie vjen nga bashkësia katolike e krahinës së Dukagjinit në mesin e Alpeve,[4] ndërsa orientalisti hollandez Houtsma e mendonte nga familja fisnike arbërore dhe jeta i mori një rrjedhë tjetër pasi u përfshi në devshirme. Mendohet se kishte të afërm poetin osman Ahmed bej Dukagjinin.[5] Orientalisti britanik Norris përcjell se ishte vete Jahja që e pretendonte ndër vargjet e veta prejardhjen nga fisnikët Dukagjin.[2]

I rekrutuar për t'u bërë jeniçer, u fut në trupat acemi oğlan, prej ku dilnin oficerët e jeniçerëve dhe mori gradat yayabash (oficer këmbësorie) dhe bylykbash. Qatipi i jeniçerëve Shihāb al-Dīn vërejti aftësitë e tij dhe i lejoi liri të madhe, të cilën e përdori për t'iu afruar skotës intelektuale të përbërë nga Kadri Bergamliu, Ibn Qemali, Xhafer Çelebiut, Ibrahim pashë Pargaliut dhe Iskender Çelebiut.[5]

Ngritja në ushtri dhe si poet

Dihet se në rini të vet, Jahja Beu mori pjesë në betejën e Çaldëranit më 1514, drejtuar nga Selimi I, më pas gjithashtu në luftën Osmano-Mamluke të 1516-1517 dhe në ekspeditën e Bagdatit me në krye Sulltan Sulejmanin. Fitoi respektin e figurave kyçe të hierarkisë perandorake, mes të cilëve edhe të vetë sulltanëve, nga poezia e tij. Frymëzim për të cilën ishin fushatat e njëpasnjëshme në të cilat qe pjesë.[4] Sipas Gibb, u frymëzua të shkruante Jusufin dhe Zelihanë kur ishte në Palestinë, rrugës për në Mekë. Egjipti ishte po ashtu frymëzues për të, Kajron e quante "qyteti i Jusufit".[6]

Pati një hasmëri të hidhur me Haxhali Mehmet Beun, një poet bashkëkohës të cilin e njohu më 1536. Gjatë luftërave Osmano-Safavide shkroi një kaside kundër tij, të cilën kur ia paraqiti Sulltan Sulejmanit dhe Vezirit të Madh Rrystem Pashës, i mbiquajtur "armiq i poetëve". Aq i pëlqeu poezia Rrystem Pashës saqë e emëroi administrator të disa vakëfeveBursa dhe Stamboll.[5]

Mërgimi dhe vitet e fundit

Gjatë luftërave me persët, Sulejman Kanunliu i keqinformuar nga Vezir Rrystem Pasha, ekzekutoi djalin e parë të vet Shehzade Mustafain. Jahja Beu i kushtoi princit të ekzekutuar një mersije të titulluar Şehzade Mersiyesi, që u prit shumë mirë.[7] Por strumbullari i vrasjes, Rystem Pasha, nuk u lumturua aspak dhe bëri të gjitha përpjekjet që të ekzekutohej.[5] Por sulltani nuk e aprovoi ekzekutimin e tij dhe u mjaftua me zhveshjen nga funksionet që mbante deri atëherë,[7] por duke qenë pjesë e shtresës së asqerëve nuk u privua nga bazat e mbijetesës,[8] u mërgua në Sanxhakun e Izvornikut dhe nuk u kthye më në Stamboll. Atje iu caktua një çiflig, prej të cilit nxirrte diku nga 27,000[5] deri më 30,000 akçe në vit.[8] Më pas në Timishoara, qendër ejaleti, ku një moment të caktuar mori pjesë në luftime.[5] Megjithëse në moshë, mori pjesë me trimat e tij në rrethimin e Sigetvarit më 1565-6, ku i paraqiti Kanunliut një kaside dhe i kërkoi sulltanit që të përkujdesej për fëmijët e tij. Ndër vargjet e kasidesë përmendet se ishte 80 vjeç.[9]

Vitet e fundit të jetës mori dorë tek shejhu i tarikatit Gulshani, Dede Mehmed Urjani, dhe iu përshkushtua përshpirtshmërisë islame. Mendohet se vdiq më 990 H (1582), mbi 90 vjeç. Varri i tij gjendet në Loznicë, jo larg Zvornikut sipas disa burimeve.[9]

Vepra

Jahja Dukagjini iu kushtua edhe studimeve të letërsisë. Ishte njëri nga poetët më origjinalë dhe më të shquar të Perandorisë dhe studiues i poezisë. Konsiderohet poeti më i madh i klasicizmit osman. Veprat kryesore të tij janë me përmbajtje morale-mistike. Veprat më të njohura të tij janë:

  • Visare të fshehta (Gencine-i Raz)
  • Jusufi dhe Zelihaja (Yusuf ve Züleyha)
  • Kopshti i ndritur i trëndafilave (Gülshen-i Envar)
  • Shahu dhe lypësi (Shah ü Geda)
  • Naze dhe lutje (Naz ve Niyaz)
  • Libri i parimeve ("Usulname" ose "Kitab-i Usul")
  • Qyteti i Stambollit (Şehrengiz-i İstanbul)
  • Qyteti i Edrenes (Şehrengiz-i Edirne)
  • Libër (poetik) për Sulltan Sylejmanin (Suleyman name)[10]

Thënie

"Sojin e kam shqiptar Dhe farefisi im jeton me shpatë në dorë."[11]
"Farefisi im i lashtë rrjedh nga paria e shqiptarëve, Sojin më të lashtë e kam prej princërve të Dukagjinit."[11]

Shih edhe

Referime