Beqir Grebene

Beqir Fiqri i njohur si Beqir agë Grebeneja (Grebené, 1882 - Sarikamish, 21 dhjetor 1914) ka qenë ushtarak shqiptar i Perandorisë Osmane.

Beqir Fiqri

Biografia

U lind në fshatin Çurhli të kazasë së Grebenesë, në një familje shqiptare,[1] burimet e tjera e shfaqin prejardhjen e tij si shqiptaro-turke[2] apo muslimane greqishtfolëse.[3][4]

Beqiri ndoqi të mesmen ushtarakeManastir dhe më pas Akademinë Ushtarake HarbiyeStamboll, ku u diplomua më 1903. U dërgua të shërbente në Jemen, prej ku u kthye pas tre vjetëve. Më 1907 u caktua në krye të një batalioni në vendlindje ku veproi kundër çetave, në dhjetor të po atij viti iu bashkua Komitetit "Bashkim e përparim".[5]

Më 1908, pak pasi ishte transferuar në Allasonja, mori vesh se Ahmet Njazi bej Resnja kishte dezertuar dhe nisur Revolucionin Xhonturk,[6] Grebeneja ndoqi shembullin e tij dhe shkoi në vendlindje, ku pas një fjalimi arriti të mblidhte për pak kohë një çetë të madhe të cilën e armatosi nga depot ushtarake të vendit.[5][7]

Lufta Ballkanike

Gjatë luftës, i ati, e ëma, xhaxhai dhe dy motrat ia vranë grekët. Grebeneja ishte i mendimit se turqit duhet të luftonin së bashku me shqiptarët kundër grekërve.[8] Komandonte detashmentin e Grebenesë në korpusin që luftoi në mbrojtjen e Janinës,[9] me njësitin e tij u përball me grekët në veri të liqenit të Janinës, në betejën e Dristnikut.[10] Mbrojti gjithashtu vendlindjen e tij nga sulmet greke.[11] Në 10 Nëntor 1912, Komandanti i Përgjithshëm i Ushtrisë Greke, Konstandini nxorri dekret që jepte 10.000 Dhrahmi për kapjen ose vrasjen e Grebenesë.[12]

Tërheqja e korpusit të shtatë osman e detyroi Beqirin të bënte për gjashtë muaj të tjerë luftë kaçake kundër grekërve. Gjatë kësaj kohe, me veprimtarinë e tij mbuloi një territor 100 km të gjatë nga Janina në Kozhani dhe mbante të angazhuar 10-15 batalione dhe trupa të parregullta greke.[11] Në zonën mes Leskovikut dhe Konicës, trupat e tij i dërrmuan trupat greke.[8] Për shërbimet e tij, u gradua jyzbash/kapiten, u mbiquajt "Kahremani i Grebenesë" (Heroi i Grebenesë)[8] dhe bashkëluftëtarëve të tij Sulltan Mehmeti V u dha titullin vatansever (atdhedashësit).[13]

Pas luftës, Grebeneja shërbeu në Stamboll duke ruajtur pallatet qeveritare dhe më pas u nis për në Shqipëri.[14]

Plani për aleancën osmano-bullgaro-shqiptare

Qeveria xhonturke në fuqi caktoi Grebenenë që të krijonte një lëvizje për kthimin e Shqipërisë nën syzerenitetin osman[15][16] duke synuar kompensimin e humbjes së territoreve perandorake gjatë luftës dhe fuqizimin e saj në Ballkan sërish. Pakënaqësia e zgjedhjes së monarkut për Shqipërinë e dha këtë mundësi. Autoritetet osmane e nisën Grebenenë, asokohe me gradën binbash/kolonel, nga Stambolli në Sofie për në Shkodër[16] i shoqëruar nga Zija bej Gjakova dhe Zenel bej Peja,[17] nëntorin e 1913 me 5,000 napolona ar që të fitonte përkrahës, biseda diplomatike dhe komunikim telegrafik me Stambollin. Grebeneja ia doli të bindte parinë e Shkodrës që të përkrahnin Ahmed Izet Pashën që të vinte si mbret i Shqipërisë,[16] por sipas kujtimeveSejfi Vllamasit kjo nuk qëndron.[18] Më pas udhëtoi në Durrës ku u takua me Esad pashë Toptanin,[17] prej ku i nisi një letër Stambollit që t'i nisnin trupa dhe armatime.[16]

Si emisar i Izet Pashës, kontaktoi Ismail Qemalin, që kishte shpallur pavarësinë shqiptare nëntorin e 1912 gjatë Luftës Ballkanike.[1][16] I parashtroi planin për rikthimin osman në një veprim ushtarak të trupave osmane, shqiptare e bullgare kundër Serbisë dhe Greqisë. Shpërblimi tokësor për shtetin shqiptar do të ishin viset e Kosovës dhe Çamërisë që Konferenca e Londrës ua kishte dhënë Serbisë dhe Greqisë.[19] Qemali iu zotua Grebenesë për besnikëri ndaj Izet Pashës dhe garantimin e futjes së trupave dhe armatimit osman në viset shqiptare për një luftë guerrile ndaj serbëve e grekërve.[20][16] Pas këtyre negociatave, Grebeneja kontaktoi Stambollin dhe i kërkoi 200-300 kuti me armatime me plumba, katër mitraloza dhe katër topa që t'i dërgoheshin në Vlorë. Janarin e 1914 mbi 200 ushtarakë osmanë veshur shqiptarisht zbarkuan nga anija Maran në skelën e Vlorës që të shtienin në dorë qytetin gjatë natës dhe të shpallnin Izet Pashën mbretin e Shqipërisë.[14][16]

Serbët i ranë në erë komplotit dhe konsulli serb në Vlorë, Gavrilović, ia raportoi Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit.[16][20] KNK-ja autorizoi oficerët hollandezë, si trupë neutrale e caktuar nga Fuqitë e Mëdha, që të shpallnin gjendjen e emergjencës dhe të ndalnin Grebenenë.[16][19][20] Gjatë kontrollit në portin e Vlorës, u zbuluan 11 oficerë dhe 200 trupa osmane. Edhe 20 të tjerë u arrestuan, së bashku me Grebenenë[14] dhe Çerçiz Topullin.[17] Gjatë gjyqit, doli në pah komploti dhe gjykata ushtarake e KNK-së me në krye gjeneralin De Veer e dënoi me vdekje,[14] më pas u fal me burgim të përjetshëm,[20] ndërsa Ismail Qemali dha dorëheqjen.[19] Pas përpjekjeve të autoriteteve osmane, Grebeneja më 18 gusht 1914 u lirua.[21]

Më pas u transferua në frontin e Kaukazit, ku luftoi dhe vdiq në betejën e Sarikamishit gjatë Luftës së Parë Botërore.[21] U varros me nderime ushtarake në Erzurum, në lindje të Turqisë. Pas la dy djem, Qemalin dhe Muzafer Grevena.[12]

Vepra

Shkroi librin Grebene ve Garp Ordusunda Kuvve-i Seyyare (Grevenaja dhe Forcat Mobilizuese në Ushtrinë Perëndimore). Në vitin 2008, libri i tij u ribotua përsëri dhe në prill të 2014, në Aiani të Kozanit në një Konferencë Shkencore u mbajt edhe një kumtesë për figurën e Beqir Grebenesë.[12]

Referime