Albanologjia

Albanologjia është një degë ndërdisiplinore e shkencave humane që ka për synim studimin e gjuhës, zakoneve, letërsisë, artit, kulturës dhe historisë së shqiptarëve. Për studimin e këtyre fushave përdoren metodologjitë shkencore të letërsisë, gjuhësisë, arkeologjisë, historisë dhe kulturës. Megjithatë, gjuha shqipe është pika kyçe e kërkimit të këtyre studimeve.

Historia

Pas letrës së Lajbnicit me perceptimin e tij mbi gjuhën shqipe dhe prejardhjen kelte të ilirëve,[1] pas tij Johann Erich Thunmann, i cili mbështeste teorinë e autoktonisë së shqiptarëve, përpiloi një histori mbi gjuhën shqipe dhe vllehe[2] si dhe paraqiti teorinë e prejardhjes ilire.[3][4] Diplomatët austro-hungarezë në viset shqiptare në Perandorinë Osmane ishin edhe studjuesit Johann Georg von Hahn dhe Theodor A. Ippen.[5] Hahn do të emërtohej ati i studimeve albanologjike,[2] dhe mbronte teorinë pellazgjike të prejardhjes shqiptare.[1] Filologu Franz Bopp më 1854 qe i pari i cili përmes etimologjive i njohu origjinën indo-evropiane gjuhës shqipe.[6]

Më tej mbledhjet në folklorin arvanitas nga mjeku Karl Reinhold, Holger Pedersen që botoi folklorin e mbledhur ndër shqiptarët e Korfuzit,[7] dhe në bazë të studimeve të mëtejshme të Gustav Meyer i cili çoi më tej detajet përkuese të shqipes me familjen e gjuhëve indoevropiane.[8]

Në shekullin XX kjo fushë studimesh u thellua nga austro-hungarezët Baron Nopça, Milan Shuflaj,[9] Konstantin Jireçek, Lajos Thallóczy[5] dhe Carl Patsch. Punë e cila u çua më tej nga Baronesha Godin,[10] Margaret Hasluck,[11][12] Papas Petrota, jezuitët Kordinjano e Valentini dhe filologu gjerman Hans Krahe.

Në trojet shqiptare ekzistojnë institucione të veçanta, që merren me studime albanologjike. Në Tiranë ato kryhen nga disa institute kërkimore -shkencore: Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë, Instituti i Historisë, Instituti i Kulturës Popullore, Qëndra e Kërkimeve Arkeologjike dhe Qendra e Studimit të Arteve.

Një rol të rëndësishëm për dekada ka luajtur dhe luan Universiteti i Tiranës

Në Prishtinë Instituti Albanologjik i Prishtinës është qendra e studimeve albanologjike. Kontributet e tyre albanologët nga Kosova, i publikojnë në revistën "Gjurmime albanologjike", që ka tri seri: serinë e shkencave historike, serinë e shkencave filologjike dhe serinë e folklorit dhe etnologjisë.Në Tiranë, ashtu edhe në Prishtinë ekziston një rreth i gjerë bashkëpunëtorësh shkencorë: studiues të historisë, gjuhës, letërsisë, etnologjisë dhe të tjerë, të cilët realizojnë projekte të rëndësishme studiuese nga këta lëmenj.

Maqedoni perfaqesohet nga disa institucione e të cilat janë ende ne fillimet e tyre.

Mbetet ende i pa skeduar roli i qendrave jo shqiptare albanologjike në botë. [13] [14]

Shih edhe

Lidhje të jashtme

Referime