Agnès Varda

Agnès Varda (Ixelles, Bruksel, 30 maj, 1928 - Paris, 29 mars 2019) ishte kineaste franceze, pjesë e brezit të regjizorëve me qendër në Paris që u quajtën Vala e re (La nouvelle vague), vepra e së cilës është vlerësuar me shumë çmime kinematografike qoftë për vepra të caktuara ashtu edhe për karrierën e saj të gjatë.

Agnès Varda
U lind në (1928-05-30) 30 maj 1928 (96 vjeç)
Ixelles, Belgjikë
ProfesioniRegjisore, kineaste, aktore, fotografe
Vite aktiviteti1951–vazhdon
Vepra të shquara
Cleo de 5 a 7, La Pointe Courte, Sans toit ni loi
FëmijëRosalie Varda
Mathieu Demy

Biografia

Varda ishte njëra nga pesë fëmijët e një babai grek dhe një nëne nga jugu i Francës, por me banim në Bruksel. Emri i saj i vërtetë është Arlette, siç e tregon ajo, për shkak se u ngjiz në qytetin e Arlit. Në vitin 1940 familja u zhvendos në fshatin peshkatar të Setës afër Montpelierit në jug të Francës, fillimisht për shkak të bombardimeve të Brukselit gjatë Luftës së Dytë Botërore.[1]

Ajo mori pjesë në jetën teatrore të jugut të Francës në rini, derisa u regjistrua në Shkollën Kombëtare të Arteve të Bukura në Paris.

Varda bënte pjesë në atë grup të atij brezi kineastësh i cili mblidhej në bregun e majtë të Senës, së bashku me Jacques Démy (1930-1990), Chris Marker (1921-2012) dhe Alain Resnais (1922-2014). Ajo ishte autore e njërit prej filmave pararendës të Valës, La pointe courte (1955), film i xhiruar në Setë, montazhier i të cilit ishte Resnais.[2]

Megjithëse mjaft produktive dhe e vlerësuar si kineaste dhe fotografe, Varda njihet kryesisht për dy filma artistikë, Cléo de 5 à 7 (Kleoja nga pesa në shtatë, 1962, çmimet Mèlies dhe FIPRESCI) dhe Sans toit ni loi (Pa strehë e pa ligj, në disa vende përkthyer si "Endacakja", 1985, çmimi Luani i Artë në Festivalin e Venecias), dhe për dokumentarin Les plages d'Agnès (2008, çmimi César në Francë).

Prej vitit 1968 deri në 1970 ajo u zhvendos me të shoqin, regjisorin Jacques Demy, në Los Anxheles, ku iu bashkëngjitën jetës kulturore avangardë të qytetit dhe grupit të artistëve përreth Andy Warholit, duke takuar dhe Jim Morrisonin[3][4].

Ajo ka bërë tre dokumentarë kushtuar Demy-së, regjisor që njihet për filmat e tij muzikorë. Ka edhe shumë filma me metrazh të shkurtër, dhe njihet gjithashtu si fotografe. Në dokumentarin autobiografik Plazhet e Agnesit, ajo zbuloi se Demy-ja pati vdekur nga komplikacionet që i pat sjellë sëmundja e AIDS-it, një fakt i mbajtur fshehur deri atëherë.[5][6][7]

Dokumentari i saj Visages, villages (Fytyra, vende, 2017)[8][9][10], me gjasa filmi i saj i fundit[11] e bëri, në vitin 2018 dhe në moshë 89-vjeçare, kandidaten më të moshuar për marrjen e çmimit Oskar,[12] dhe i dha çmimin për dokumentarin më të mirë (L'oeil d'or) në Festivalin e Kanës në vitin 2017[13][14].

Varda ka marrë dy herë urdhërin e Legjionit të Nderit nga shteti francez, i është dhënë çmimi i César për karrierë më 2001, Palma e karrierës në Festivalin e Kanës në 2005 dhe çmimi Oskar i karrierës në 2017.[15][16]

Vdekja

Varda vdiq nga kanceri në Paris më 29 mars 2019, në moshën 90 vjeçare.[17] Ajo u varros në varrezat e Montparnasse-it në kryeqytetin francez më 2 prill.[18]

Referime